Në një zhvillim të paprecedent dhe të pabesueshëm, një grupim i tifozëve shqiptarë të futbollit, me emrin Anonimët Kuq e Zi (AKZ) i cili ishte i panjohur deri tash për opinionin publik shqiptar, ka ngritur zërin me një vendim të papritur bombastik – të padisin Federatën Shqiptare të Futbollit! Ky grup i përkushtuar tifozësh është revoltuar pas lajmit që FSHF-ja planifikon të organizojë Euro 2027 bashkë me… Serbinë!
Ky vendim, që për ta është jo vetëm skandaloz, por dhe “i papranueshëm për çdo shqiptar i cili e quan veten shqiptar”, ka nxitur zemërimin e tyre deri në atë masë sa që ata tani janë duke shqyrtuar çdo rrugë ligjore për ta penguar këtë bashkëpunim të “pamoralshëm” me shtetin fqinj. Sipas tyre, ky vendim i turpshëm jo vetëm që trondit ndjenjat e shqiptarëve, por mund të jetë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Statutin e FSHF-së dhe ligjet në fuqi. Madje, ata theksojnë se kjo lëvizje është në kundërshtim të skajshëm me vullnetin e kombit shqiptar në të gjitha trojet etnike dhe nuk është në përputhje me interesat e shtetit dhe kombit shqiptar në përgjithësi.
Zëdhënësi i AKZ-së, Xhankarllo Desivojca, një emër konspirativ që tashmë po bën bujë në të gjitha rrjetet sociale, ka deklaruar ekskluzivisht për seriozisht.com: “Ky është një sulm direkt mbi ndjenjat tona kombëtare. E pabesueshme që diçka e tillë po diskutohet, e lëre më të ndodhë! Ne nuk do të rrimë duarkryq. Nëse është e nevojshme, do të shkojmë deri në Gjykatën Ndërkombërare të Arbitrazhit Sportiv si dhe Gjykatën Kushtetuese te Republikës së Shqipërisë!”
Me tone të ashpra, tifozët theksuan se ky vendim është “goditja më e rëndë e mundshme” dhe se veprimi i tyre ligjor do të jetë gjithashtu “një kundërgoditje vetëmbrojtëse në shërbim të Kombit dhe Mëmëdheut”. Fjala është shpërndarë në mënyrë të rrufeshme në rrjetet sociale, dhe mbështetësit po rriten dita-ditës, duke e bërë këtë çështje një nga më të diskutuarat në botën e futbollit shqiptar.
Seriozisht.com do të vijojë të përcjellë me vëmendje këtë situatë dekikate dhe do të raportojë mbi këtë sagë të paprecedent të një lufte sportive e ligjore të paparë deri më tash.
Recent Comments